Zejtaritë në zhdukje dhe rijetësimi

Opingarët

Punimi i opingave është ndoshta zejtaria më e hershme dhe më e përhapur dhe zanafilla i dedikohet nevojës njerëzore për të krijuar një veshje mbrojtëse për këmbët. Opingarët ishin ndër zejtarët e kërkuar masivisht për shekuj me radhë në pothuajse gjithë Ballkanin. Evidencat arkeologjike datojnë rreth shekullit të 5-4 para periudhës kristiane si element i kulturës ilire. Fakte të tjera i referohen Onufrit (shek. 16-të) në veprat e tij ikonografike.

Etimologjia e fjalës “opinga” i referohet fjalës së vjetër të gjuhës shqipe *api që në ditët e sotme shqiptohet hapi. Fjala “opinga” është përmendur në 1610 nga Marino Bizzi, një aristokrat i njohur Venecian në Dalmaci, Kryepeshkop i Antivarit i cili ka përmendur në shkrimet e tij se “burrat e krahinës së Mirditës vishnin opinga, të përgatitura nga ata vetë me lëkurë lope”. Produkti final ishte rezultat i disa proceseve pune si përpunimi i lëkurës, prerjes sipas kallëpeve, ngjitjes dhe qepjes së shtresave si edhe pasurimi me elemente zbukurues. Opingat karakterizoheshin nga prakticiteti, elasticiteti dhe qëndrueshmëria. Në periudhën otomane, artizanët opingarë të Përmetit kishin ekskluzivitetin e tregtimit të opingave në shumë vilajete osmane kryesisht Shkodër dhe Janinë deri në 1841 kur ky privilegj u cungua nga reformat e Tanzimatit. Opinga, si veshje kryesore e këmbëve për gjithë popullsinë u përsos me kalimin e kohës me elemente zbukurues si gjalmë dhe xhufka për burrat apo qëndisje për gratë. Opingat, si veshje tradicionale mbartin elemente identifikues krahinorë. Kështu opingat e zonës së veriut dalloheshin nga maja paksa e rrumbullakët dhe gjalmi kurse të jugut nga maja e ngritur dhe xhufka. Zhvillimet e fundshekullit XVIII e në vijim ndikuan negativisht në prodhimin artizanal dhe gradualisht opingat u zëvendësuan me veshje të tjera për këmbët duke zbehur deri në zhdukje nevojën për këtë zejtari.

Mundësitë e rijetësimit

Pavarësisht faktit se nevoja për opinga nuk ekziston, ajo mbetet një nga zejtaritë tradicionale e pasur me elemente të krijimtarisë artistike. Mundësitë e rijetësimit të kësaj zejtarie mund të përbëjnë fokusin e një pafundësi bashkëpunimesh dhe partneritetesh që kanë në themel kombinimin e produktit të zejtarisë me prezantimin artistik bashkëkohor, të pasuruar me informacionin përkatës historik. Krijime të tilla do të kontribuonin në pasurimin e fondit të krijimtarisë artistike dhe përcjelljen e tradicionales në një dimension të ri artistik.

Nallbanxhinjtë dhe samarxhinjtë

Nallbanxhinjtë ishin zejtarët që mbathnin kuajt me patkonj. Në kohët e hershme ky ishte një zanat mjaft i kërkuar pasi kuajt ishin pjesë integrale e së përditshmes së popullsisë në qytet e në fshat. Samarxhinjtë ishin zejtarët që prodhonin dhe shisnin samar për kafshët e transportit apo shala për kuajt. Samari përbëhej nga pjesa e drunjtë e lakuar ku nuk mungonin pjesët që shërbenin për lidhjen e litarit. Samari vendosej mbi kurrizin e kafshëve për transport. Shala e kalit punohej nga druri dhe lëkura dhe karakterizohej nga një punim më fin dhe i ndërlikuar. Fillimisht samarxhinjtë jetonin nëpër fshatra por me kalimin e kohës disa prej tyre kishin një vend në pazaret e gjësë së gjallë ku shisnin samarët e prodhuar përtej porosive si edhe ku mund të siguronin porosi të reja. Industrializimi i ekonomisë pati një ndikim të drejtpërdrejtë tkurrës në këtë zejtari pasi transporti nuk kryhej më duke përdorur kafshët e gjalla por automjetet dhe sot këto zanate shihen të destinuara të humbasin.

Gjallërimi dhe rijetësimi

Disa mënyra efikase për gjallërimin dhe rijetësimin e këtyre zejtarive mund të jenë iniciativat turistike tradicionale atraktive të shëtitjeve me kafshë si kuaj dhe gomerë, nxitja e investimeve për krijimin e qendrave të hipizmit, tërheqja e vëmendjes së disenjatorëve në përfshirjen e këtyre elementeve në dizenjimin e mobiljeve të kombinuara me xhamin apo elemente të tjera ose edhe punimi i tyre në miniatura dylli të ekspozuara në kuti xhami etj.

Kallajxhinjtë

Zejtaria e kallaisjes ishte e lidhur ngushtë me përdorimin e enëve të bakrit, këmborëve dhe këmbanave të cilat kohë pas kohe duheshin kallaisur. Kallaisja ishte procesi i pastrimit ose rërimit, drejtimit dhe lyerjes me kallaj të sendeve prej bakri. Kallajxhinjtë ishin kryesisht zejtarë shëtitës. Ata lëviznin fshat më fshat të ngarkuar me materialin e kallajit dhe mjetet e punës dhe ofronin shërbimin në çdo shtëpi. Dikur kallajxhinjtë ishin shumë të kërkuar pasi sendet prej bakri të përdorimit të përditshëm si pjata, tenxhere, tepsi, kazanët e pjekjes së rakisë apo zierjes së reçelit ishin shumë të përdorshme në ambientet familjare. Zhvillimi ekonomik, globalizimi dhe prodhimi i artikujve të rinj për nga materiali, karakteristikave ergonomike, forma, ngjyra bëri që enët e bakrit të zëvendësoheshin gradualisht me enë alumini dhe qelqi zjarrdurues duke zbehur kërkesën për kallaisje. Në ditët e sotme, kallajxhinjtë janë shumë të rrallë dhe shpesh puna e tyre zëvendësohet me përdorimin e solucioneve të gatshme.

Gjallërimi dhe rijetësimi

Për të arritur gjallërimin dhe rijetësimin e kësaj zejtarie duhet të rikthejmë vëmendjen në promovimin e vlerave tradicionale artistike të enëve prej bakri si pjatancat, vazot, gjymat, këmborët e bagëtive dhe këmbanat madhështore të vendeve të kultit. Zejtarët e bakrit i kanë pasuruar këto enë me gdhendje motivesh apo zbukurime të trashëguara nga modele antike.

Artistët e rinj, arkitektët dhe disenjatorët janë mundësia e rijetësimit afatgjatë. Gjallërimi nuk është domosdoshmëri të jetë në shërbim të së përditshmes por ti shërbejë ruajtjes së traditës sonë historike, ekspozimit të saj në dritën e së tashmes dhe promovimit në forma të reja atraktive bashkëkohore.