
Projekt: “Rrënjët e mia-Kulturë 360”
Periudha e zbatimit: 1 prill 2021-31 korrik 2021
Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, në kuadër të thirrjes
për projekte kulturore, 2021 “E ardhmja është origjina”
Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare, nëpërmjet zbatimit të projektit “Rrënjët e mia-Kulturë 360” synon të promovojë trashëgiminë kulturore shqiptare nëpërmjet dimensioneve të reja të komunikimit, prezantimit dhe ekspozimit që ofron teknologjia e informacionit. Krijimi dhe promovimi i platformës elektronike interaktive, e pasur me informacion rreth llojeve kryesore të zejtarisë, mënyrat e rijetësimit të zejtarive në zhdukje, është hapi i parë që bën të mundur ndërtimin e strukturës bazë në dispozicion të çdo artisti zejtar, profesionist apo amator, si edhe sipërmarrësi zejtar, pa asnjë barrierë gjeografike.
Aktivitet e tjera të këtij projekti si “Panairi virtual” dhe krijimi i markës “Rrënjët e mia” janë në funksion të drejtpërdrejt të ekspozimit, promovimit dhe krijimit të markës përfaqësuese të artit tradicional që na bashkon ndër shekuj. Këto aktivitete kanë si qëllim të minimizojnë dhe zbehin distancat fizike të krijuara në kushtet e pandemisë Covid-19, të gjallërojnë krijimtarinë artistike, kryesisht atë tradicionale, të krijojnë një mjedis promovues dhe bashkëpunimi aktiv midis bizneseve të artizanatit vendas dhe atyre në diasporë, të evidentojnë fuqinë e artizanatit shqiptar për të sfiduar kohën dhe ruajtur origjinalitetin pavarësisht rrethanave si edhe të nxisin përfshirjen e brezave të rinj në kultivimin dhe ruajtjen e vlerave tradicionale të origjinës së tyre përtej kufijve gjeografikë.
Ftohen të gjithë artizanët vendas dhe ata në diasporë, të cilët kanë trashëguar, ruajtur, kultivuar artistikisht zanatin nga vendi i origjinës dhe mbartur atë edhe në shoqëritë pritëse ku ata jetojnë, të bëhen pjesë aktive e këtij projekti duke u anëtarësuar dhe krijuar profilet individuale me hapësirën promocionale, dedikuar shpalosjes së vlerave të krijimtarisë së tyre artistike tradicionale.
Së bashku promovojmë vlerat e traditës sonë kulturore kombëtare pa barriera gjeografike.