“Rrënjët e mia”-Brandi që na bashkon

“Rrënjët e mia”-Brandi që na bashkon

Shqipëria është e njohur për një traditë të pasur të krijimtarisë zejtare me vlera të çmuara historike, artistike dhe njerëzore që përcjellin origjinalitetin e një identiteti të veçantë. Arti i zejtarisë shqiptare është krijuar dhe trashëguar prej shekujsh nga mjeshtrit popullorë, sipas karakteristikave dhe specifikave të zonave të ndryshme gjeografike, duke u spikatur me shumëllojshmërinë e tij, numrin e madh të ekzemplarëve dhe relikeve si edhe paraqitjen estetike të tyre.

Artisti gëzon dhuntinë e materializimit të së bukurës si dhuratë shpirtërore për të gjitha kohërat  prandaj veprat artizanale shqiptare janë mishërim artistik i ekstraktit të bukurisë shpirtërore të popullit kultivuar dhe trashëguar me devotshmëri ndër breza, por edhe fakt i përkushtimit të përulur ndaj së bukurës.

Imagjinata e pafundme, ndjeshmëria, aftësia e materializimit të saj dhe puna e palodhur e artizanëve shqiptarë ju dhanë jetë dhe kujtesë historike të përditshmes shqiptare në gjithë strukturën dhe elementet e banesave, urave, burimeve, rrugicave, ndriçuesve, armëve, veshjeve dhe kostumeve, enëve, orendive shtëpiake, instrumenteve muzikore, stolive,  oborreve, portave dhe vendeve të kultit.

Gurët e ftohtë dhe të ashpër të maleve shqiptare, ju bindën me përulje duarve të arta të mjeshtërve gurgskalitës, duke u tjetërsuar në bukuri që sfidojnë çdo kohë dhe përcjellin me krenari madhështinë tipike të së bukurës shqiptare në urbanistikë. Gdhendjet dhe latimi i drurit kristalizuan florën dhe faunën mesdhetare në tavane magjepsëse, korniza elegante, dyer, baule, ndenjëse madhështore, enë shtëpiake, instrumente muzikore plot finesë dhe ikonostase që të lenë pa frymë. Mjeshtëria shqiptare nuk u mjaftua me punimin e metaleve në enët shtëpiake, ndriçuesit elegantë apo kangjellat florale të ballkoneve por zhvilloi finesën dhe elegancën e stolive në flori, argjend, dhe filigranin e hollë gati të tejdukshëm. Larmia e ngjyrave dhe motiveve të kombinuara përsosmërisht në kostumet popullore, qilimat, velencat e leshta apo pëlhurat e lehta dhe dantellat turbulluese të endura me përkushtim me grep dhe tezgjah, veshjet krahinore apo xhubleta unikale vijojnë të përçojnë  mitin e përsosmërisë pa kohë të krijimtarisë femërore. Natyra bujare shqiptare i dhuroi imagjinatës dhe aftësive të mjeshtërve të qelqit dhe baltës rërën e bardhë dhe argjilën e butë për ti transformuar në forma miqësore enësh, poçesh apo miniatura të faunës, florës dhe mitologjisë plot origjinalitet dhe shkëlqim. Deti me horizontin e pafund dhe ndjenja e lirisë njerëzore vijon të përçohet me delikatesë në punimet e çdo elementi të anijeve të drurit në miniaturë.

Përtej nostalgjisë dhe ndjeshmërisë shpirtërore që përcjell çdo krijim artizanal, artizanati mbetet prova e pakundërshtueshme e cilësisë dhe vlerave të shoqërisë shqiptare ndër kohëra dhe përbën një trashëgimi të vyer kombëtare. Krijimi i markës “Rrënjët e mia” synon unifikimin e kësaj tradite dhe promovimin e gjerë të saj nëpërmjet mundësive që ofron teknologjia e informacionit.

Logo “Rrënjët e mia”, në dy variante (#996515 që simbolizon unitetin dhe #96001c që simbolizon origjinën), është lehtësisht e aksesueshme nga të gjithë anëtarët e platformës www.rrenjetemia.al, artizanët dhe kompanitë që operojnë në fushën e paketimit të produkteve artizanale si një element shtesë në promovimin e artizanatit shqiptar.

Logo-ja u prezantua në panairin Virtual të artizanatit Shqiptar, në dt. 28 korrik 2021.