
Qelqi si material ka ekzistuar në natyrë i krijuar nga përzierja e gurëve në temperatura tepër të larta, kryesisht pas shpërthimeve vullkanike. Bëhet fjalë për qelqin vullkanik (Obsidian) që është një material opak i errët, i përdorur qindra vjet më parë për prodhimin e bizhuterive, poçeve, pjesë të veglave të punës dhe të armëve.
Duke ju referuar kërkimeve dhe gjetjeve arkeologjike në Egjipt, rezulton se prodhimi i qelqit e ka zanafillën rreth 7000 vjet më parë dhe mendohet se ishin Babilonasit ata që e prodhuan të parët. Në historinë e antikitetit, Pliny, the Elder, ishte dëshmitari i parë i zbulimit të mënyrës së prodhimit, pavarësisht “rastësisë” që ndodhi nga përzierja e sodës me rërën nën temperaturën e lartë të zjarrit të ndezur nga ekuipazhi i një anieje tregtare.
Bukuria e qelqit me cilësitë e tij të vyera si tejdukshmëria, shkëlqimi, fortësia, higjiena e kanë bërë atë mjaft të kërkuar ndër vite dhe e ka shndërruar në një prej materialeve që ndërthuret me shumë materiale të tjera duke zgjeruar përdorimin e tij pothuajse në plotësimin e çdo funksioni.
Qelqi mbetet i adhurueshëm dhe mjaft shprehës në krijimet artistike. Në vendin tonë tërheqja ndaj tij në mënyrë të organizuar ka filluar në vitin 1970 me funksionimin e Fabrikës së parë të qelqit në Kavajë (1.200 punonjës), kryesisht me linjat e xhamit të ambalazhimeve (shishe, kavanoza, kanate uji, damixhanë etj), duke u zgjeruar me prodhimin e artikujve shtëpiake, dekorativë dhe qelqit laboratorik.
Unikaliteti në ndërthurjen e brishtësisë me forcën, transparencës me ndarjen, hapësirës me kufizimin e ka bërë qelqin tërheqës e të adhurueshëm për artistët të cilët duke zbatuar teknika të ndryshme përpunimi të silicit si shkrirjen, vitrazhin, fuzionin, dhe tretjen e ngjyrave i kanë zgjeruar dhe lartësuar vetitë e qelqit në vepra mahnitëse.
Dekorimi i qelqit është pjesë autentike e zejtarisë artistike me rezultate mbresëlënëse në përmirësimin e pamjes fillestare të objekteve të rastësishme prej qelqi. Duke përdorur frymëzimin dhe krijimtarinë mund të dalin vepra të pazakonta dhe origjinale nga duart e artizaneve të qelqit, kështu nga dekorimi i pasqyrave, gotave, vazove, shisheve, kavanozave, damixhanave të verës, xhamave etj. mund të krijohen vepra artistike të mirëfillta, prania e të cilave në ambientet e banesave zbukuron të përditshmen.