Punimi i metaleve (hekur, bronz, bakër, argjend etj)

Punimi i hekurit, bronzit dhe bakrit

Punimi i metaleve është një nga mjeshtëritë më të vjetra të njerëzimit, mjaft i përhapur edhe në Shqipëri. Mjeshtërit e metaleve kanë luajtur një rol të madh në mbarëvajtjen dhe zhvillimin e shoqërisë falë punës së tyre për prodhimin e mjeteve të punës në bujqësi, veshjet e kuajve, orendi shtëpiake por më shumë kanë qenë të njohur dhe të kërkuar në periudha të vështira historike për prodhimin e armëve dhe parzmoreve.

Teknikat e përdorura kanë qenë kryesisht ato me derdhje dhe farkëtim. Në ditët e sotme ky art ka marrë të tjera përmasa. Përpos funksionalitetit, punimet metalike sot përdoren gjerësisht për qëllime dekorative dhe kanë trajta, motive nga më të ndryshmet ku përmendim kangjellat florale të banesave, ndriçuesit, portat me simbole mitike apo motive të faunës, shtretër, tryeza të kombinuara me materiale të tjera natyrore si dru dhe mermer janë të përhapura gjerësisht.

Argjendaria

Krijimi i stolive në përgjithësi apo i stolive identifikuese si kurora në veçanti është një nga mjeshtëritë bashkëshoqëruese të njeriut që në kohë shumë të hershme. Përpunimi i metaleve si bronz, bakër, argjend dhe flori për krijimin e stolive është një nga artizanatet elitare pasi mjeshtëria artistike dhe finesa e proceseve e tejkalon kufizimin zejtar drejt përsosjes artistike. Një stoli nuk tregon vetëm një histori por pas saj fshihen orë të gjata pune, frymëzim artistik dhe përkushtim. Mjeshtëria popullore e përpunimit të metaleve ka qenë e frymëzuar nga e bukura. Qendra të njohura për zhvillimin e kësaj mjeshtërie kanë qenë: Shkodra, Elbasani, Berati. Gjakova, Prizreni etj. ku prodhoheshin stoli të ndryshme për gra e për burra (vathë, unaza, varëse, gjerdanë, byzylykë, breza, qostekë apo armë të zbukuruara, orendi, kuti tualeti, tabaka, zarfe filxhanësh, kuti cigaresh etj.) Mjeshtërit argjendarë shqiptarë përdornin me sukses disa teknika pune: me skalitje, me rrahje, me derdhje, me filigran etj. Ata arritën të nxjerrin nga duart sende me vlera të mirëfillta artistike.

Filigrani

Përpunimi i metaleve me teknikën e filigranit të tejdukshëm është një nga mjeshtëritë përfaqësuese të trevave shqiptare. Kjo teknikë mund të quhet ndryshe qëndistaria e argjendit. Prej shekujsh, finesa dhe bukuria e këtyre punimeve ka tërhequr vëmendjen e aristokracisë jo vetëm në Ballkan por edhe më gjerë duke u identifikuar me luksin e kohës. Brishtësia dhe delikatesa e punimeve të filigranit kërkon një përkushtim, përqendrim dhe pasion të pashtershëm artistik. Në ditët e sotme punimet e filigranit shqiptar zënë një vend të posaçëm në tregun e turizmit artizanal duke ofruar suvenirë elegantë si simbol i një prej mjeshtërive më delikate që del nga duart e mjeshtreve shqiptare.