Punimi i kashtes

Përdorimi i bimësisë si lëndë e parë për plotësimin e nevojave të ndryshme të njeriut ka qenë mjaft i përhapur në trevat shqiptare. Prej shekujsh, kashta që përftohej nga tharja e barërave,

e përzier me baltën, ka shërbyer si material mbushës në ndërtimin e banesave të qerpiçit.

Disa lloje bimësh drusore si thupra, shelgu, shtogu, panja ofrojnë mundësi për thurje pasi janë elastike dhe rezistente në përthyerje prandaj kanë shërbyer dhe vijojnë të përdoren për thurjen e sendeve dhe orendive të shumta shtëpiake si çanta, shporta, kosha, vazo, karrige, tavolina, ndenjëse verandash, çadra plazhi etj., Gjithashtu, këto bime drusore përthithin mjaft mirë bojën duke ofruar larmi jo vetëm në forma dhe funksione por edhe ne ngjyra.

Fijet e ngjyrosura të kashtës janë një material mjaft tërheqës për artistët në punimet artistike të mozaikëve kashtorë duke ofruar produkte mjaft të pëlqyera për turistët në veçanti kur subjekti frymëzues është i natyrës piktoreske apo vendeve monumentale Shqiptare.

Mjeshtëria e thurjes së bimëve u zhvillua si ndërmarrje kolektive kryesisht në Kukës pas vitit 1963, ku filloi të funksiononte një ndërmarrje artizanati e madhe, me mbi 1000 punëtorë në qytet dhe 200 në fshatra, kryesisht në Bicaj. Kjo ndërmarrje punonte e orientuar drejt eksportit. Një vend të veçantë zinin punimet artistike si shporta, mobile verandash, stola, rafte, veshje shishesh etj.

Në ditët e sotme prodhimi i këtyre punimeve artistike është kufizuar për shkak të zvogëlimit të sasisë së lëndës së parë, importimit të orendive të ngjashme prej bambuje dhe çmimeve konkurruese të këtyre të fundit. Sot, artizanët shqiptare të punimit të kashtës i gjemë në Shkodër (orendi shtëpiake), Elbasan (shporta dhe kosha), Durrës (çadra plazhi).

Produktet artizanale të kashtës mbeten mjaft ekologjike dhe zënë një vend të veçantë për të gjithë ata që vlerësojnë natyrën në mjediset e banesave të tyre.