Punimi i gurit – Skalitja

Gdhendja e materialit shkëmbor, gur dhe mermer, është një nga mjeshtëritë më të vjetra të njerëzimit. Relievi kryesisht malor i trojeve shqiptare ka dhuruar me bujari material për mjeshtrat e gurit. Tingulli i daltës dhe çekiçit ka ushtuar maleve duke skalitur përjetësinë.

Krahinat më të njohura në Shqipëri për mjeshtëri në gdhendje janë Mokra, Opari, disa krahina të Matit e të Dibrës por jo vetëm. Nga duart e mjeshtrave shqiptarë gurskalitës janë punuar kolonat dhe muret e kalave që mbartin historinë dhe frymëzuan legjendat, urat madhështore të gurit që kanë bashkuar brigjet e lumenjve të Shqipërisë duke lidhur banorët e zonave përreth, rrugicat me kalldrem dhe shtëpitë e gurta fisnike, ujësjellësat, dekoret e gurta që hijeshonin portat dhe dritaret, ndërtesat e kultit që kanë sfiduar kohën, pllakat e mbishkrimeve në portat e fisnikërisë dhe skulpturat e heshtura deri edhe sende të përdorimit të përditshëm dhe suveniret e ditëve të sotme. Falë mjeshtërisë së gurskalitësve Shqiptare ndër shekuj, qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës janë regjistruar si pjesë e Trashëgimisë Botërore nga UNESCO që në vitin 2005.

Një cilësi e lartë njerëzore që e karakterizon këtë mjeshtëri sa të veçantë aq edhe të vështirë, është vlerësimi brezar duke e trashëguar këtë mjeshtëri si pasuri të vyer. Pavarësisht vështirësive prej plastikës së lartë të materialit dhe punës kolosale që kërkon kjo mjeshtëri, edhe në ditët e sotme, fama e saj mbetet e pakrahasueshme falë edhe kontributit të asaj pjese të diasporës që e kultivon dhe e shpalos atë anë e kënd botës.

Një shembull dinjitoz përfaqësimi është vepra e Gëzim Hidrit, i cilësuar si “Skllav i gurit” për nga përkushtimi dhe pasioni personal, e ekspozuar në Venecia, Athine dhe Londër duke lartësur krahas emrit të tij edhe vendin e origjinës.