Punimi i fijes – qendistaria

Punimi i leshit dhe pambukut me endje dhe qëndistaria janë mjeshtëri tradicionale përfaqësuese femërore të trevave shqiptare. Gruaja artizane shqiptare trashëgonte mjeshtërinë që në moshë të hershme si një aftësi profesionale dhe një mënyrë sigurimi të të mirave materiale shtëpiake.

Kjo mjeshtëri ishte mënyra e shprehjes dhe materializimit të shpirtit të bukur femëror shqiptar. Proceset e përpunimit të leshit, kombinimet e ngjyrave, motivet e larmishme pasqyronim më së miri fantazinë artistike dhe konkurrencën femërore.

Veshjet tradicionale, veshjet dimërore me thurje, të linjtat, mbulesat, perdet, jastëkët, çentrot, qilimat, sixhadet dhe velenxat ishin punime që siguroheshin pothuajse vetëm nga duart e arta dhe puna e palodhur e grave shqiptare. Ajo që fillimisht konsiderohej si një detyrim familjar për gruan shumë shpejt shndërrohej në një pasion

të vërtetë që e shoqëron atë përgjatë gjithë jetës. Produktet e avlëmendit, thurjes dhe qëndistarisë karakterizohen nga origjinaliteti, rezistenca,cilësi të larta ergonomike por edhe nga bukuria që ofron harmonia e ngjyrave, motiveve, kombinimeve të punimeve të ndryshme në një produkt.

Qëndistaria ka luajtur një rol të çmuar në pasurimin e veshjeve folklorike të të gjitha krahinave të vendit dhe nëpërmjet elementeve përfaqësues ka kontribuar në krijimin e identitetit krahinor.

Përpunimi i leshit për prodhimin e shajakut është një nga traditat mjeshtërore më të hershme dhe veshjet si xhubleta apo plisi e identifikojnë më së miri këtë teknikë. Xhubleta është një nga veshjet e njohura botërisht, ku bie në sy forma krejt e veçantë e saj me një valëzim të përkryer fundor, mënyra e zbukurimit të pjesëve të saja me motive dhe ngjyra të plota, por shumë të zgjedhura si kombinim i ngjyrës së zezë me çiklamin, vjollcën ose blunë. Kjo veshje sjell mesazhet e qytetërimit ilir në kulturën popullore shqiptare.

Një tjetër veshje prej shajaku është plisi ose qeleshja. Kjo veshje e kokës për burrat është një trashëgimi nga lashtësia e hershme dhe karakterizohet nga një lidhje simbolike e bardhësisë së saj me nderin duke lartësuar dhe përfaqësuar kështu një cilësi karakteristike të figurës burrërore shqiptare.