
Natyra i ka falur vendit tonë kurora të gjelbra që gëzojnë veti të shumëllojshme të lakmuara nga mjeshtrit e drurit. Pyjet e pishave, ahut, vidhit, lisave të lartë, arrave dhe ullinjve shekullorë kanë shërbyer si parajsa ushqyese e shpirtit artistik duke zhvilluar dhe shndërruar mjeshtërinë e gdhendjes së drurit në një traditë mbresëlënëse për nga cilësia e krijimtarisë dhe larmia e saj.
Zanafilla e kësaj mjeshtërie i atribuohet barinjve për krijimin e mjeteve të nevojshme për ta si kërraba, fyelli por edhe orendi të tjera si furka për tjerrjen e leshit, sëndukët, djepet etj të cilat i zbukuronin me element të florës dhe faunës shqiptare dhe simbole të mitologjisë popullore. Nevojat e krahinave për sende të ndryshme druri apo dekorime banesash bëri që kjo mjeshtëri të përsosej dhe kthehej në profesion dhe zona të ndryshme të vendit identifikoheshin për mjeshtrit e tavaneve, ballkoneve dhe portave, ikonostaseve, sëndukëve, orendive shtëpiake, djepe deri edhe vegla muzikore. Mjeshtrit me emër ishin dibranët, beratasit, koniciotët, ata nga Gryka e Madhe, Golloborda e Reka, Tetova e Çermenika të cilët kanë lënë gjurmë në gjithë Shqipërinë.
Veprat e tyre i gjejmë në Shkodër, Dibër, Prizren, Gjakovë, Prishtinë, Tiranë, Durrës etj. Zbukurimet e drurit në ikonostaset e vendeve të kultit të karakterizuara nga tejshpime dhe perfeksion artistik kanë ardhur deri në ditët e sotme si aset unik i trashëgimisë kulturore ku mund të përmendim me krenari ikonostasin e Beratit, Korçës, Erindit, Leusës, Sopikut etj.
Mjeshtëria artistike e punimit të drurit e shpalos përsosjen e saj në krijim e veglave muzikore me tela. Nga duart e mjeshtërve shqiptarë dolën vegla muzikore të shquara për elegancë dhe bukuri si çiftelia dhe lahuta të punuara në Malësi të Madhe. Nga fundi i shek. XIX mjeshtëria e punimit të drurit u përqafua edhe nga zona të tjera si Tirana, Elbasani, Shkodra, Prizreni, Gjirokastra. Në skalitjen e drurit përdoren thika të ndryshme, lima por edhe mjete gjysmë të mekanizuara siç ishte çarku dhe vegla të tjera sipas kohës, objektit të synuar, motivit dhe materialit drusor. Nisur nga shumëllojshmëria e krijimtarisë, padyshim që mjeshtërit shqiptar të gdhendjes së drurit mund të konsiderohen pa rezerva skulptorë artistë të tij.
Krahas punimeve tradicionale të drurit, kohët e fundit është mjaft e përhapur dhe e pëlqyer teknika e pirografisë që përfshin vizatimin ose shtypjen e një modeli duke djegur sipërfaqen e drurin. Duke përdorur një hekur pirografi mbi faqe druri ose një mjet të nxehtë, pirogravori shfaq pamjen me anë të djegies në vendet e dëshiruara ose edhe e kombinon gravurën e tij me gdhendje. Në punimet artizanale të drurit nuk mund të lemë pa përmendur artin e krijimit të anijeve në miniaturë. Anijet në miniaturë janë objekte dekori mjaft tërheqëse dhe simbolika e tyre është një mënyrë shpalosjeje e shpirtit të lirë që është shumë i pranishëm në punën e artistit popullor.