
Mjeshtëria e punimit të baltës në Shqipëri, zë fill që në neolitin e hershëm me gjetje të shumta në gjithë territorin e vendit. Lulëzimi që njohu poçeria në periudhën antike nuk u shfaq dukshëm në etapat e mëvonshme sepse vendin e enëve prej balte filluan ta zënë ato prej metali, qelqi dhe në disa raste edhe ato prej druri.
Megjithatë, mjeshtëria e poçerisë në krahasim me mjeshtëritë e tjera karakerizohet nga jetëgjatësia.Kjo jetëgjatësi shpjegohet me disa veti fizike të veçanta që kanë enët e baltës p.sh. në to uji ruhet i ftohtë, disa lloj ushqimesh konservohen më mirë dhe pa erë dhe shpesh edhe disa gatime bëhen më speciale. Në vendin tonë deri në gjysmën e dytë të shekullit të XX-të ende vazhdonin të ekzistonin disa qendra, ku ushtrohej mjeshtëria e punimit të enëve prej balte, tullave dhe tjegullave. Sipas studiuesve, në Shqipërinë Veriore, më të përmendur ishin fshatrat Gojan (Pukë) dhe Gërman (Mat).
Në Shqipërinë e Mesme, qendra të tilla vazhdonin të ekzistonin në fshatin Farkë (Tiranë) dhe në qytetin e Kavajës. Ndërsa në pjesën jugore të vendit, më të dëgjuara në punimet e baltës ishin fshatrat Bradvicë, Vërlen e Grapsh në rrethin e Korçës. Poçarët e fshatrave Gojan (Pukë) e Gërman (Mat) njiheshin më shumë për punimin e enëve për përgatitjen e ushqimit, ashtu si edhe ato të fshatit Farkë (Tiranë). Ndërsa poçarët e qytetit të Kavajës dhe ato të fshatrave Bradvicë e Vërlen(Korçë), u bënë të njohur më shumë për punimin e enëve të ujit, bulmetit, të ngrënies dhe enëve për mbajtjen e pijeve dhe likove tradicionale.
Në përgjithësi qendrat e punimit të enëve prej balte, krahas atyre të prodhimit të tullave dhe tjegullave patën një prodhimtari të shumtë dhe të vazhdueshme. Ato plotësonin më së miri nevojat e përditshme me enë dhe objekte të tjera, në mënyrë të veçantë për shtresat e varfëra dhe të mesme të popullsisë e sidomos në fshatrat fushorë, ku mungonte lënda e drurit, me të cilën punoheshin një pjesë e mirë e enëve.
Por, përveç enëve të kuzhinës, poçarët shqiptarë janë marrë edhe me punimin e objekteve të tjera si lodra fëmijësh, tuba oxhaqesh, mjete ndriçimi, materiale ndërtimi, etj. Për vlerat praktike dhe ergonomike që kanë enët prej balte, kjo mjeshtëri kultivohet edhe në ditët e sotme dhe prania e prodhimeve të saj në mjediset familjare dhe sociale vijon të jetë e mirëpritur. Poçeria e Farkës është një shembull inkurajues i vlerësimit njerëzor dhe përkushtimit qytetar ndaj traditës.
Krahas punimit të baltës për prodhimin e objekteve shtëpiake, mjeshtëria u rafinua edhe me përdorimin e materialeve të tjera si allçi dhe alabaster në prodhimin e objekteve të zbukurimit të frymëzuara nga natyra, mitologjia dhe të gërshetuara me proçese artistike të lyerjes duke e pasuruar këtë zejtari me karakteristika unikale dhe duke e shndërruar kështu në pjesë të rëndësishme të fondit të krijimtarisë artistike tradicionale me vlera përfaqësuese turistike.