
Ministria e Kulturës, është themeluar si institucion shtetëror në vitin 1941. Që nga themelimi i saj ajo është riorganizuar duke u bashkuar me Ministri të tjera dhe është zgjeruar me departamente të reja në përputhje me zgjerimin dhe pasurimin e misionit të saj.
Në respektim të orientimeve kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore dhe në kuadrin e programit të Këshillit të Ministrave, Ministria e Kulturës ushtron veprimtarinë e saj në këto fusha të përgjegjësisë shtetërore:
⦁ Harton, programon dhe zhvillon politikat kombëtare të kulturës, trashëgimisë kulturore, materiale dhe shpirtërore, të rritjes së tolerancës fetare e të dialogut kulturor dhe integrimit kulturor në familjen evropiane dhe botërore, në përputhje me programin e qeverisë së Republikës së Shqipërisë
⦁ Harton dhe bashkërendon punën për politikat në fushën e artit e të kulturës nëpërmjet edukimit të popullsisë, rijetësimit të vlerave dhe trashëgimisë kulturore, nxitjes së investimeve publike dhe private në këta sektorë, monitoron mënyrën e përdorimit të fondeve publike në mbështetje të zhvillimit kulturor, edukimit në kulturë, mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, ruajtjes dhe vijimësisë së traditës së harmonisë fetare në kulturën shqiptare, si edhe në sferën e bashkëpunimit rajonal.
⦁ Harton politikat, mbrojtëse dhe promovuese për trashëgiminë kulturore, materiale apo shpirtërore, krijon hapësirat e nevojshme ligjore e mbështetëse për ruajtjen e kultivimin e kulturës së shkruar, për krijimtarinë artistike në përgjithësi, si edhe për promovimin e arritjeve të kulturës shqiptare për të rritur konkurrencën e produktit kulturor shqiptar përtej kufijve.
⦁ Harton politika për ekzistencën e Shqipërisë si një partner aktiv në organizatat ndërkombëtare, evropiane dhe rajonale në fushën e artit, kulturës dhe të trashëgimisë kulturore nëpërmjet aderimit në institucionet ndërkomëtare përkatëse.
⦁ Udhëheq, programon dhe mbështet veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare, me qëllim identifikimin dhe zhvillimin e tendencave kulturore, artistike dhe letrare brenda vendit, si dhe përfshirjen e ballafaqimin e vlerave më të mira të trashëguara apo bashkëkohore kombëtare me ato rajonale për krijimin e një hapësire dialogu mbarëshqiptar dhe të diversitetit kulturor.
⦁ Nëpërmjet strukturave të varësisë realizon regjistrimin, mbikëqyrjen dhe monitorimin e respektimit të të drejtave të autorëve dhe të të drejtave të tjera të lidhura me të nga subjektet, persona fizikë/juridikë, privatë a publikë, përdorues të pronësisë letrare, artistike e shkencore.
⦁ Kryen funksione dhe veprimtari të tjera në përputhje me ligjin.
Për më shumë informacion: www.kultura.gov.al