
Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare (DHBD) është një organizatë jo fitimprurëse me anëtarësi, themeluar në bazë të vendimit nr. 617 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dt. 12 nëntor 2019. Misioni i DHBD është të krijojë një frymë mbarë shqiptare bashkëpunimi ekonomik dhe rritjen e investimit të kapitalit të diasporës në atdhe duke siguruar informacion profesional, lobim, mbështetje të iniciativave të biznesit të diasporës dhe të partneritetit me biznesin vendas, krijimin e mundësive të bashkëpunimit midis anëtarëve, promovimin e të rejave të anëtarëve të saj si edhe nxitjen dhe mbështetjen e çdo iniciative institucionale apo civile me ndikim në përmirësimin e politikave ekonomike dhe fiskale në vend. DHBD ka të regjistruar 134 anëtarë biznese dhe profesionistë nga diaspora dhe vendi të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre ekonomik në pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë. Pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga tërmetet dhe pandemia, ngjarje të cilat përkuan me krijimin dhe zhvillimin e DHBD, kjo e fundit ka arritur të sigurojë bashkëpunime dhe një prezence aktive në shumë organizata të sipërmarrjes ekonomike shtetërore dhe të shoqërisë civile, të kontribuojë prekshëm në mbështetjen e grupeve shoqërore në nevojë dhe të ofrojë profesionalizëm në shërbimet e saj ndaj bizneseve. Në një periudhë relativisht të shkurtër të funksionit të saj DHBD ka arritur të ndërmarrë zbatimin e disa projekteve me ndikim të drejtpërdrejt në realizimin e misionit të saj.
I. Projekti 3-vjeçar: “Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare-Krijimi dhe nxitja e investimit të kapitalit nga diaspora në Shqipëri”, me një fond prej 12.000.000,00 ALL, është financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit të Diasporës dhe përfundon në nëntor 2021. Objektivi kryesor i këtij projekti është krijimi i mekanizmave efecientë për tërheqjen e investimit të kapitalit të diasporës drejt vendit të origjinës. Projekti është në fazën e fundit të zbatimit dhe një ndër rezultatet e prekshme është vëmendja e qëndrueshme ndaj aktivitetit të DHBD dhe komunikimi i vazhdueshëm me pothuajse të gjitha rrjeteve të diasporës, rritja me 20% e numrit të sipërmarrjeve ekonomike nga diaspora të anëtarësuara në DHBD, pjesëmarrje e lartë dhe e gjeografikisht e larmishme e diasporës në aktivitetet e DHBD-së.
II. Projekti 6-mujor: “Transferimi në Shqipëri i njohurive të diasporës në bujqësi” me një buxhet të përgjithshëm zbatimi prej 44.900 €, financohet në masën 35.200,00 € nga Organizata Botërore e Migracionit (IOM) dhe do të zbatohet në bashkëpunim me diasporën në Itali, nëpërmjet kontributit konkret dhe transferimit të njohurive teorike dhe praktike në partneritet me Shoqatën e Kultivuesve Italiane (AIC). Partneri ynë do të ofrojë njohuri dhe praktika të testuara duke përdorur instrumente të miratuara nga EU si EU Green Deal, Farm of Forck si edhe Strategjitë e Biodiversitetit.
Projekti synon të ndikojë në përmirësimin e produktivitetit, zgjerimin e përfshirjes së teknologjisë, përmirësimin e kapaciteteve dhe rritjen e punësimit në SME-të bujqësore në vend me ndikim në rritjen ekonomiko-sociale të zonave rurale shqiptare
III. Projekti 4-mujor: “Rrënjët e mija-Kulturë 360” u përzgjodh fitues në shpalljen e Ministrisë së Kulturës për projekte ne Art-Trashëgimi Kulturore 2021